Parisi, jeta mes kursimit dhe gëzimit
Tendenca është që të kursehet atje ku mundet. Por vetëm për një gjë parisienët nuk kursejnë dot
Tendenca është që të kursehet atje ku mundet. Por vetëm për një gjë parisienët nuk kursejnë dot. Kafenetë, restorantet dhe ëmbëltoret: ato janë gjithnjë plot. Pasi si gjithmonë, gëzimi për jetën më shumë se kudo tjetër triumfon në Paris
Pra, sërish edhe një herë në Paris. Si gjithmonë në vjeshtë. Ka kaluar një vit që nga vizita e fundit që bëra atje. Dhe sërish gjërat duket se nuk po shkojnë mirë. Në rrugën Rivoli (Rue de Rivoli), nën pasazhin e Napoleonit, sheh të ngritura e të dala vendit, pllakat e gurit si dikur syri të shihte fjala bie, në ish-vendet e Bllokut Socialist.
Kishat që nuk janë vënë në fokus të përkujdesjes, e preferuara ime, “Notre Dame de Lorette” apo “Notre Dame de la Bonne Nouvelle”, në brendësi mbajnë një sasi gjigante leukoplasti: Kur pastërtia humbet dhe ngjyrat zbërdhulen, njollat e boshllëqet në mur, thjesht mbushen me leukoplast.
Në Muzeun për Artin Aziatikolindor në “Parc Monceau”, është hapur vetëm kati i parë me statujat e kafshëve. Kjo sigurisht se është vetëm diçka për fëmijët. E aty ka shpresë për më shumë, shumë më tepër publik. Por eksponatet plot vlerë, statujat madhështore të budave në “Mezzanin”, nuk sigurojnë dot akses.
Përse?
“On manque de personel, Monsieur; cruellement! – Na mungon tmerrësisht personeli zotëri!”
Një hotelier që s’të hedh sytë
Atmosfera është disi e zymtë edhe në hotelin ku jam sistemuar unë. Qysh prej thuajse njëzet vjetësh, unë vij në strehezën time të preferuar në “Rue Jacob” në Saint Germain. Janë dashur vite, derisa ta vinin re e ta mësonin emrin tim.
Në vitin e dhjetë pastaj, me gjeste dashamirëse dëgjuan se duhej të llogarisnin edhe mëngjesin tim (pasi duke pasur parasysh çmimet e kripura të dhomave, vetëkuptohet se kjo ishte lënë pa u futur në hesap).
E ja, për të parën herë po më pyet i shqetësuar menaxheri i hotelit, se kur do të jem sërish atje. Më dolën thuajse lot nga sytë: një hotelier parisien që duhet të kujdeset për habitatin e mysafirët e vet? – Para dhjetë viteve, kjo do të ishte thuaje fare e paimagjinueshme.
Edhe francezët duan të punojnë në Gjermani
Mirëpo ka dhe më keq: kamerieri që më sjell mëngjesin (ai është në këtë punë qysh prej 17 vitesh, pa u ndërruar asnjëherë) më vjen pranë me finesë kur kthehem të ha drekën e më thotë me zë të ulët nëse unë mund t’i rregulloj atij ndonjë punë në Gjermani.
Më flet me ti dhe besoj se nuk e kam dëgjuar e kuptuar saktë. Ai thotë: “Mais vous acceptez tout le monde maintenant. Pourquoi pas moi alors? – Ju tani po merrni gjithë botën, përse pra jo dhe mua?”
Çështja e refugjatëve, e hedhur në fushë nga një francez (po mirë, ai rrjedh nga Ile Maurice): Mon dieu, où va la France – o Zot, ku po shkon Franca?
Ajo çka më tregojnë të njohurit, miqtë, kolegët mbi jetët e tyre në Paris, nuk i vjen askujt prej nesh për mirë. Marrëveshje skllavëruese e gjysmëzyrtare, vende pune që nuk mund të rizihen kur largohesh me leje, shkurtime rrogash: kush nuk është në administratën shtetërore, duhet ta shtrëngojë mirë rripin.
Thuajse të gjithë e kanë hequr nga përdorimi autoveturën që posedonin më parë (vagonë kaq të mëdhenj e të mbushur me njerëz s’ishin parë kurrë më parë në Paris), por kjo nuk u sjell ndonjë kursim të madh.
Garderoba? Kozmetika? Udhëtimet? Aty ka gjithnjë diçka për të marrë me vete. Dhe shihet qartazi. Dhe ndihet qartazi. Udhëtimet me metro, që dikur përmbanin edhe një aromë e tërheqje erotike, janë kthyer në një makth për parisienët.
Te “Bofinger” duhet të prenotosh tre muaj përpara
Por më pas vështrimi shkon vetvetiu drejt restoranteve parisiene, ëmbëltoreve, kafeneve: njerëzit rrinë ngjeshur pas njëri-tjetrit, hanë, pinë, harlisen të gëzuar, vetëm, në çift apo në grupe. Pa rezervim, puna sidoqoftë nuk bëhet, madje nuk shkon fare.
Tek “Bofinger” në Bastille, ku njerëzia shkon apo kthehet nga opera, duhet të bësh prenotimin për shembull, qysh tre muaj më parë. Pasi ata nuk të qasin tek dera. Ata vijojnë ta trajtojnë këtë qytet të bekuar nga Zoti, si dhoma e tyre e madhe e banimit. Në çdo cep të tij, çdo rrëzë, sekush mund të pretendojë vendin e tij.
Parisienët i përmbahen lajtmotivit, duke besuar fort se: “Paris sera toujours Paris, la plus belle ville du monde – Parisi mbetet po Paris, qyteti më i bukur në botë”. Kur do më duhet ta vizitoj sërish?
(Shqip media)
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor