Një ndjesi e veçantë…
Shkrimi i parë mbetet gjithmonë në mendje, por kur merr në dorë krijimin e parë të fëmijës tënd emocionet janë unike. Mësuese Eljana Brahja na tregon për krijimin e parë të vajzës së saj Greis.
Vite më parë, kur unë isha në prag të diplomimit, një pedagoge na caktoi si detyrë të krijonim një shkrim të shkurtër. E realizova. Shkrimi im “Të jesh femër...” u pëlqye, pedagogia më komplimentoi dhe më sugjeroi ta publikoja në një gazetë. Prisja me padurim të shikoja gazetën, ishte një gazetë javore dhe m’u desh të prisja pak, ishin momente emocionuese, ndihesha krenare por edhe pak dyshuese nëse të tjerët do e pëlqenin... E ruajta gazetën për vite me radhë, e kam edhe sot. Megjithëse kam shkruar shumë shkrime të tjera më të bukura gjithmonë kam menduar se ato emocione nuk do t’i përjetoja sërish.
Por sot, pas kaq vitesh kjo ndjesi u zbeh disi, kur mora në dorë krijimin e parë të vajzës sime Greis. Mësuesja e saj e klasës së tretë, Nimete Halilaj u kërkoi nxënësve të krijojnë një vjershë me titull: Elefanti që shkoi në qytet dhe ja çfarë shkroi Greis në fletat e bardha që qëndronin në bibliotekën e saj e që deri më tani ishin mbushur vetëm me vizatime.
Elefanti në qytet
Elefanti Pini Pu nuk është më këtu
Ai shkoi në qytet, se donte të bëhej mbret.
Miqtë e tij u mërzitën,
Dhe elefantin fort e thërritën.
Elefanti u kthye shpejt
Që të shkonte te miqtë e vet.
Elefanti qetë-qetë
U tha miqve të vet:
-Unë nuk shkoj më në qytet,
Se e di, aty nuk bëhesh dot mbret.
Një ndjesi akoma më e veçantë… sepse sot është shkrimi i parë i vajzës time Greis. Një vjershë, e cila për mua është shumë herë më e rëndësishme dhe më emocionon shumë herë më shumë se shkrimi im. Kur lexova poezinë e Greis m’u duk e magjishme dhe mendova “tashmë kemi sërish një shkrim të parë në familjen tonë prej katër anëtarësh”. Unë sërish pres me padurim botimin e saj të cilin do ta ruaj me fanatizëm. Dhe gjithnjë, me shumë dashamirësi do të kujtoj mësuesen e dashur të klasës së tretë, Nimete Halilaj, e cila me punën e saj të palodhur po rrënjos te ky brez i ardhshëm dashurinë për librin, duke nxitur aftësitë krijuese te fëmijët 8-vjeçarë.
Pres të përjetoj sërish një ndjesi tjetër të veçantë. Ndoshta, një tjetër mësues/e do t’i kërkojë një poezi apo një vjershë, vajzës time të vogël Ajlin. Ky krijim sërish do të quhet shkrim i parë. Në familjen tonë do të pritet me padurim botimi dhe do të kujtohet me dashamirësi mësuesja/i i/e cili/a do të nxisë aftësitë krijuese te Ajlin.
(Eljana Brahja, Portali Shkollor)
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor