“Mësuesja e klasës së parë...” , nga mësuesi Besnik Caka

“Mësuesja e klasës së parë...” është shkrimi letrar i mësuesit Besnik Caka, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Mësuesja e klasës së parë...” është shkrimi letrar i mësuesit Besnik Caka, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.



Edhe sot, si rëndom mëngjeseve para punës, bashkë me mikun tim po pimë kafen në lokalin "tonë", diku përballë shkollës së njohur 9-vjeçare të qytetit,ku punon edhe bashkëshortja ime.


Kafja e mëngjesit gjithmonë më ka kujtuar përkëdheljet e nënës, kur më zgjonte nga gjumi për të vajtur në shkollë...Më duket sikur ka po atë efekt magjik të zërit të saj. Prandaj më pëlqen ta pi në heshtje, duke u përpjekur të "fle" edhe pak, ndonëse dita e re fshin pa mëshirë të gjitha ëndrrat. Dhe ato me nënën...

Për çudinë time, sot  edhe miku im po e shijon pa fjalë kafen mëngjesore, duke i shtuar asaj vetëm shtëllungat e tymit të duhanit, që, në varësi të erës, marrin formë e drejtime të ndryshme...


Tek gjerb, vërej se oborri i shkollës përballë bëhet gjithnjë e më i zhurmshëm, pasi  sot nis viti i ri shkollor...

Ia bëj me dije këtë mikut tim, por  vështrimi i tij është mbërthyer tek një djalë i vogël, me çantë të bardhë në njërën dorë dhe një buqetë lulesh në tjetrën...

 -Unë nuk e kam dashur mësuesen e klasës së parë...! - flet pa hequr sytë nga djali.

Ky pohim i tij, mua që ia njoh mirë zellin për dije, më kap disi në befasi.  

- Po jam i bindur, edhe ajo s'më ka dashur ndonjëherë...- vazhdoi. Dhe ende nuk e di pse. Kam qenë fëmijë i urtë. Edhe si nxënës, isha i mirë, ndonëse nuk shkëlqeja.. Po, ku ta dish, ndoshta, po të më kishte përkëdhelur, qoftë edhe një herë të vetme, mund të isha bërë edhe i shkëlqyer...Mundet...


(Fjalën e fundit, shoqëruar me shtëllunga të gjata tymi, e shqiptoi në një mënyrë të tillë që, më tepër sesa një "mundësi" reale, ajo shënonte, në të vërtetë,  fiks të kundërtën, "pamundësinë",  dhe ai e shqiptoi atë gati-gati me nota dhimbjeje)


-Ë, si thua ti ? - m'u drejtua me zë më të plotë.


Por pa më lënë kohë të them diçka, (ndonëse s'di ç'mund të thosha në ato rrethana), vijoi po vetë...

-Se, shoku im i bankës, bie fjala, nuk ishte më i mirë se unë. Po atij gjithmonë mësuesja i përkëdhelte kokën, edhe për përgjigjet më të thjeshta...Dhe e di? Në këtë rast unë kisha dhe një tjetër siklet: sa herë përkëdhelte kokën e shokut tim, që ishte në anën e murit, ajo duhej të "përkëdhelte" me gjoks kokën time...

Unë skuqesha nga kjo gjë. (Njëherë, kur nëna ime kishte ardhur në shkollë për të pyetur për mua, ajo i kishte thënë: "është i urtë dhe shpesh skuqet pa shkak"...)

Gjeta rastin për ta "shpotitur" pak e për ta shkundur nga kujtimet e hershme të klasës së parë...Por ai ishte përhumbur tashmë...

 -Ti je më i vogël, nuk ke arritur të shkruash me penë. Ç'mundim i madh të shkruaje e të kujdeseshe që të mos pikonte boja në fletore!

Sidomos në gjuhë, ku për të shkruar një fjali të plotë, duhej ta zhytje penën disa herë në bojën e kallamarkës. As sot nuk e kam harruar fjalinë që duhej të shkruanim disa herë në shtëpi, në lëndën e gjuhës: “Teuta mori patate”.

 

Kur isha gati duke mbaruar, vetëm dy rreshta nga fundi, prej penës ra pa mëshirë një pikë bojë mbi fletoren e detyrave. Si fëmijë, pa u menduar dy here, sakaq zgjata dorën ta fshij dhe,  kuptohet, e ndota më tepër...


Por më e keqja dhe zhgënjimi do të vinte në mbrëmje. Kur nëna më kontrolloi vlerësimet  e mësueses, pashë që në detyrën e gjuhës isha vlerësuar me notën 5...

Nëna nuk më tha gjë, vetëm më përkëdheli kokën. Ndërsa unë, që nga ai moment u betova se nuk do ta doja kurrë mësuesen time të klasës së parë... !

Jo se nuk më kishte përkëdhelur ndonjëherë ,(edhe për këtë, sigurisht), por sepse më kishte vënë një notë të pamerituar...Unë i kisha shkruar shumë bukur fjalitë, pavarësisht njollës së bojës mbi fletore!

 ... Në oborrin përballë, zilja i ftoi nxënësit të hyjnë në shkollë. Ajo solli në vete edhe mikun tim. Teksa ndaheshim, s'harroi të më porositë:

- Bëji të fala Zanës, uroja vitin e ri shkollor nga unë .Dhe kujtoje që asnjëherë të mos harrojë t'i përkëdhelë fëmijët... !




Besnik Caka

Besnik L. Caka ka lindur më 6 dhjetor 1968, në Çorovodë, Skrapar. Diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, më 1991, për gjuhë shqipe dhe letërsi. Prej vitit 1994, jeton e punon në Korçë, ku aktualisht  jep lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji” të këtij qyteti.  Veç publikimeve në organe të ndryshme, kryesisht fabula, ka botuar dhe këto vëllime me fabula: “Gjah”- 2006 , “Gishti i mesit”-2008, “Baloja mbeti pa gojë”-2021. Tregimi i mësipërm është shkëputur nga vëllimi me tregime, në dorëshkrim, “Pusi i harruar”…



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,140 Lexime
1 vit më parë