“Mendje e lirë” bazuar në artin mandala, ju njohim me punim e veçantë të mësueses nga Shkodra
Ky ndoshta mund të jetë punimi më i veçantë që mund të keni parë këto kohë. Bazuar në artin mandala, mësuesja nga Shkodra, Teuta Lagja, ka krijuar këtë mozaik ngjyrash dhe formash në murin e saj të shtëpisë me plotë 1800 tapa shishesh. Le të hedhim vështrimin edhe nga krijime të tilla vendase...
Diametri i këtij punimi shumëngjyrësh rrethor i krijuar në mur është plotë 2.5 metra. Për të krijuar atë janë përdorur plotë 1800 tapa shishesh të ndryshme; sigurisht goditjet kanë qenë më të shumta për t’i fiksuar ato me gozhda betoni.
Punimi quhet "Mendje e lirë" dhe është bazuar në artin mandala, që ka të bëjë me konfigurimet gjeometrike të simboleve. Në kulturën budiste mandalat kanë kuptim simbolik dhe meditues, përtej pamjes së tyre "të gjallë".
A keni parë më parë një punim bazuar në një art të tillë?
Në fakt një kolege juaja nga Shkodra, jo pak e njohur tashmë për punët e saj të veçanta artistike, që i ndërthur me orët mësimore, ka preferuar ta sjellë më afër nesh, në vendin tonë, duke e zbatuar atë pikërisht në murin e saj të shtëpisë, teksa të afërmit do të jenë vizitorët e saj të previligjuar.
Mësuesja, Teuta Lagja, ka rrëfyer se ideja fillestare ka nisur nga një projekt shkollor "Mindful Schools" i vitit mësimor që shkoi.
“Ideja ishte që nxënësit të liheshin të lirë të shprehnin me ngjyra dhe vizatime ndjenjat e tyre në një pjesë të murit hyrës të shkollës. Projekti nuk u realizua dot dhe mbyllja e tij u bë online. Por si çdo punë e bukur që lë gjurmë në trurin e njeriut, edhe ky më dha idenë të vazhdoja në shtëpi me tapat e shisheve që kisha mbledhur prej vitesh”, kështu është shprehur mësuese Teuta, së cilës i janë dashur dhjetë ditë kohë për të përfunduar këtë art të veçantë.
Fillimi i punimit
Punimi i përfunduar
Diçka ka preferuar të flas edhe për këtë lloj arti: “Mandala është një periudhë krijimi nga e cila autori nxjerr ne pah lidhjen e shpirtit të tij me universin e madh. Tradita e mandalave është që, pasi të krijohet, bëhet një ceremoni dhe ajo prishet pastaj, me idenë se asgjë nuk është e përjetshme, por unë shpresoj ta ruaj më gjatë”.
Për mësuese Teutën ky nuk do të jetë punimi i vetëm i këtij lloji, pasi ajo mendon ta përsëris atë në muret e shkollës ku jep mësim për klasat fillore. Për të është shumë e rëndësishme që mjedisi të mbrohet dhe një formë e mbrojtjes është pikërisht që, mbetjet të kthehen në art.
“Mendoj që se shpejti këtë projekt ta vazhdoj në shkollë me punime të tjera, duke mbrojtur mjedisin dhe duke i kthyer mbetjet në art”, përfundon ajo rrëfimin e saj.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor