INTERVISTË

“Luleborë”- ekspozita që vulosi talentin si piktore të mësueses shkodrane Teuta Lagja

A ka lidhje arti me mësimdhënien? Teuta Lagja është mësuesja dhe piktorja që po frymëzon breza dhe e di më së miri përgjigjen e kësaj pyetje. Të ndodhur në ekspozitën e saj të parë me piktura në Shkodër, kemi realizuar një intervistë, gjatë të cilës tregon shumëçka për talentin e saj dhe suksesin si mësuese.

“Me ken shkodran, tana i ban!”-është e rastit të prezantojmë mësuesen Teuta Lagja e cila përveç pasionit që e karakterizon për mësimdhënien, e ka pasuruar shpirtin e saj duke u marrë me art...dhe automatikisht kështu përfaqëson më së miri shprehjen për qytetin e kulturës e të Rozafës, Shkodrën.


“Lulëborë” ka preferuar ta quaj ekspozitën e saj të parë me piktura Teuta e cila ka në fakt 35 vite që hedh në telajo punime e teknika nga më të veçantat...


Gjatë intervistës që Portali Shkollor Albas ka realizuar me të, ajo ka rrëfyer pse preferoi të ishte modeste në shfaqen e talentit të saj për të pikturuar; çfarë e karakterizon dhe e bën të veçantë si piktore por edhe si mësuese e klasave fillore...ndërsa vjen me një mesazh për të gjithë ata mësimdhënës të cilët kanë pasione të ndryshme jashtë dyerve të shkollave apo punës që bëjnë...



Këto ditë qytetin e Shkodrës e ka përfaqësuar më së miri ekspozita juaj me piktura, të cilën keni preferuar ta quani “Luleborë”. E nisim pikërisht nga ky emërtim…veç përfaqësimit që i bën kjo lule qytetit të lashtë të Rozafës, pati ndonjë motiv tjetër për ta quajtur kështu ekspozitën tuaj të parë?    


Mirë se erdhe në Shkodër! Mirë se erdhe në ekspozitën "Luleborë". Siç e thatë dhe ju, ky emërtim vjen nga dashuria e çdo shkodrani për këtë lule skalitur dhe në këngën himn të qytetit "Eja, eja, Luleborë", por ky titull ka një shkëndijë edhe nga profesioni im i mësuesisë. 

Në një nga tablotë e mia me luleborë, veçoj njërën që mbart shumë emocione. Një natyrë e qetë me luleborë e libra në anglisht frymëzuar nga një kolegia dhe mikja ime në Ukrainë, që i kish sjellë plot emocion në një foto ato lule të dhuruara nga nxënësit.

Kur po kërkonim emrin e ekspozitës me kuratoren time, m'u kujtua kjo histori. Nuk u mendova dy herë. Por këtë pikturë e bëra poster kryesor të ekspozitës pikërisht për këto dy arsye. Jo vetëm tek ne, por edhe në Ukraine, pati një ndikim shumë pozitiv.

      


Në fakt ndihet emocioni që ju ndjeni teksa po rrëfeni, por Zj.Teuta, me të drejtë kushdo që i ka parë tani për herë të parë piktura tuajat, pyet: ku ke qenë fshehur?; Në hapje të ekspozitës mësuam se pasionin për pikturën e shpalosni tashmë prej 35 vitesh në këto telajo. Si nisi e gjitha dhe çfarë ju shtyu apo ju pengoi ndoshta deri më tani që të çelnit këtë ekspozitë?


Filloi në fëmijërinë e hershme me lapsa e letra si shumëkujt nga ne, po kurrë nuk e mendoja veten artiste deri në universitet ku profesori i artit Agim Kadillari më zbulon talentin dhe më nxit vërtetë të pikturoj tashmë në telajo dhe të marr pjesë në ekspozita ku bëra shitjet e para dhe i mundësova vetes blerjen e materialeve të punës. Më pas kam marrë pjesë vazhdimisht në ekspozita të ndryshme dhe në vitin 2000 fitova çmimin e parë në ekspozitën e organizuar nga shoqata "Labeat Kult" në Shkodër.

"Ku isha e fshehur ?"- pyesni ju me të drejtë, po unë kurrë nuk po gjeja kohën për një ekspozitë personale. Rritja e fëmijëve, përkushtimi në familje, profesioni i mësuesisë, angazhimet sociale, sëmundjet e prindërve, vdekja e tyre, të gjitha këto bashkë vonuan karrierën time artistike.


Duket sikur këto punime të pikturave të përngjajnë…sepse teksa frymëzon shumë fëmijë si mësuesja e tyre, vrapon si nënë e fal përkushtim dashuri (pa llogaritur këtu pjesëmarrjen tuaj në shumë aktivitete të tjera profesionale dhe artdashëse), më pas ndalesh në “odën” tënde për të pikturuar këto piktura që në fakt bien në sy për teknikat dhe materialet e ndryshme me të cilat ju i keni realizuar…janë vërtetë të veçanta dhe të larmishme…A mund të na flisni pak për to, e veçanërisht për pikturat të cilat janë brenda kësaj ekspozite?


Në ekspozitë, kemi përzgjedhur së bashku me kuratoren time 33 punime që më identifikojnë tërësisht, sepse të gjitha ata që ne përzgjodhëm kanë temën e dashurisë për Shkodrën e cila ndjehet fuqishëm në këto punime. Në shumicën e kuadrove, janë vendet ku unë strukem në heshtje e pikturoj si kalaja, liqeni, ura e Mesit, lumi Drin etj. Dominon e arta e vjeshtës, grafikat, luleborat, luledielli etj. Por mos të harrojmë edhe elementin "stilolaps" (të çdo mësuesi) që nuk më mungon në disa punime të ekspozitës. Të gjitha këto më identifikojnë mua si person.

Duket se koha e pandemisë botërore ka qenë edhe më shumë këmbëngulëse për ju si piktore, pasi në shumë prej pikturave datohet viti 2020…si i keni realizuar këto piktura kur ju nuk keni qenë prezente dhe nuk i keni parë këto peizazhe aty për aty, pasi siç e dimë kemi qenë në karantinë dhe të kufizuar në lëvizje prej shumë muajsh të atij viti?


E vërtetë! Pothuaj shumica e punimeve datojnë në 2020, pikërisht për arsyen e pandemisë. Me izolim apo jo, një artist gjithmonë para telajos është, por ajo periudhë na dha detyrën morale të ushqejmë të tjerët me artin e të bukurës. Mos i trego njeriu (ha-ha), po kur nxirrja lejen për të dalë për blerje, unë ikja me qeset e ushqimeve nga liqeni ose lumenjtë. Rrija ca kohë aty, frymëzohesha e pastaj në odën time, hidhja në telajo ato emocione që përjetoja atje.



Po në përgjithësi, nga çfarë frymëzoheni ju për të qenë një shkodrane e vërtetë le ta themi, se nuk është e lehtë të jesh prej Shkodre apo jo? Ne e dimë tashmë se juve ju shkon shprehja e famshme “Me ken shkodran, tana i ban’”…


Faktikisht mua më frymëzon çdo gjë, një copë gur që e kthej në magnet frigoriferi, një tjegull që e pikturoj me elementë të qytetit, një kungull që e bej personazh ose shtëpi, një copë dru, një guaskë që e kthej në instilacion e shumë peizazhe që kthehen në foto artistike e piktura. 

Ndërsa kjo shprehja: "me ken shkodran tana i ban", na ka vënë  vërtetë para përgjegjësisë morale.

Nuk thua dot "jam shkodran" pa bërë asgjë për këtë qytet që na dha kaq shumë krenari, kështu që unë e ndjej për detyrë që artin tim ta ndaj me të tjerët, t'i jap qytetit tim dhe të edukoj brezat me po të njëjtën frymë ashtu siç e patë dhe ju shumë artistë të rinj në ekspozitë.


Çfarë e bashkon faktin e të qenit mësuese dhe piktore? 


Oh, shumë gjëra. Unë jam mësuese e fillores. Në artin e kemi pjesë të kurrikulës, por përtej kësaj unë bashkë me nxënësit kemi pikturuar të gjitha muralet në klasë, përgjatë këndit sportiv e jashtë oborrit të shkollës. Nxënësit e kësaj moshe i duan mësimet me figura dhe jo vetëm që ua mësoj kështu, por dhe i shpërblej duke pikturuar një element të ri në muralen e klasës të cilët e zgjedhin vetë, kur ata arrijnë rezultate të mira.

Pastaj ne kemi detyrën e shenjtë të zbulimit të talentit tek fëmijët dhe unë kam zbuluar shumë talente të cilët i kam nxitur të ecin më tej dhe sot, ata, pikturojnë akoma duke më bërë dhe mua krenarë.


Nëse do të pyesnim për veçantinë tuaj si piktore cila është ajo? 


Po mua ma le këtë barrë mbi shpinë? (qesh)

E vetmja gjë që mendoj se më përmbledh është "këmbëngulja"...unë nuk heq dorë kurrë nga diçka që dua. Ka piktura që i kam mbaruar pas 20 vitesh.



Sa do të qëndroj e hapur ekspozita “Luleborë”?


Ekspozita do qëndrojë e hapur deri më datë 24 shtator. Çdo pasdite do pres fëmijë e të rritur siç erdhi sot një qendër fëmijësh dhe u mrekulluan nga punimet me rapidograf përveç atyre me ngjyra që tashmë i njohin.



Kujt ja dedikoni këtë ekspozitë?


Shkodrës pa dyshim. Nuk filloja dot karrierën artistike pa i dhënë sadopak asaj që më frymëzoi, më ushqeu me art, Shkodrës time të dashur.


A do të ndërmerrni ekspozita të tjera, keni ndoshta një plan për pikturat të cilat ende nuk i keni shfaqur për publikun? 


Patjetër! Sapo ekspozita u publikua, kolegia ime Ana, nga Berati, më dha një shkëndijë. Besoj do vij me një ekspozitë që do  përcjellë mesazhe të forta. Po le të ta lemë surprizë.


Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata mësues të cilët kanë pasione të tjera veç mësimdhënies, tregohen modestë si ju?


E para mendoj se është të vlerësojnë veten. Ata janë të veçantë se kanë dy ose më shumë profesione. Ka shumë këtu që po lexojnë.

E dyta, ata duhet të kuptojnë se nuk nxitim dot nxënësit drejt artit, pa u dhënë modelin që duhet ndjekur. Ata nuk dëgjojnë, ata kopjojnë modele. Bëhuni shembulli i tyre i suksesit! Bëjeni veten dhe ata krenarë për aftësitë tuaja!

Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,172 Lexime
3 vjet më parë