Lojë për zhvillimin e aftësive të të dëgjuarit aktiv dhe empatik të nxënësve
Kjo që do t’ju paraqesim sot është një lojë sa e bukur aq edhe e rëndësishme për zhvillimin e e aftësive të të dëgjuarit aktiv dhe empatik të nxënësve, por pse jo edhe e fëmijëve tuaj. Pra ju mund ta praktikoni atë si në klasë ashtu edhe në shtëpi.
Materialet: artikuj gazetash ose revistash sipas nevojës.
Koha: 30 – 40 minuta.
1. Zgjidh një temë të diskutueshme nga revistat ose gazetat vendore (nga fusha e politikës, punës, menaxhimit ose ndonjë temë tjetër që mund të pëlqehet).
2. Ndaji pjesëmarrësit në grupe me nga 3 persona. Secili grup zgjedh “folësin”, “dëgjuesin” dhe “referuesin”.Tema e zgjedhur diskutohet nga folësi i cili, pa ndërprerje, shpjegon ndjenjat e tij për këtë temë. Pasi folësi ka mbaruar, dëgjuesi përmbledh (pa parë shënimet) çfarë u tha për atë temë. Pasi ka përfunduar kjo, folësi dhe referuesi mund të korrigjojnë ose amplifikojnë çfarëdolloj çështjeje të pohuar nga dëgjuesi. Referuesi është i vetmi person që lejohet të përdorë shënimet.
3. Pas 8 – 10 minutash diskutim, zgjidh një temë të re dhe ndërro rolet, duke përdorur të njëjtën mënyrë. Pas 6 – 10 minutash, përdor një temë tjetër dhe role të reja, duke mundësuar në këtë mënyrë që secili person të luajë njërin nga rolet.
Përdor pyetjet e mëposhtme për të bërë analizën:
- Në rolin tënd si folës, a hase ndonjë vështirësi ose pate ndonjë çast të pavolitshëm?
- Po në rolin e dëgjuesit apo të referuesit?
- A konstatove ndonjë pengesë që pengonte të dëgjuarit efektiv?
- Në rolin tënd si dëgjues, përse ishte e vështirë për të përmbledhur dhe perifrazuar komentet e folësit?
- Çfarë dobie kanë shënimet?
- Si lidhet ky ushtrim me mbledhjen e të dhënave dhe intervistimin në terren?
Një mënyrë tjetër është që të diskutohet një temë personale,duke i thënë dëgjuesit të mos japë shenja që miratojnë apo kundërshtojnë, duke u ngrysur apo miratuar me kokë. Në këtë mënyrë, vihet theksi në atë që të tregohet vlera e qëndrimit ndaj dëgjimit joparagjykues dhe se tundja e vazhdueshme e kokës nga dëgjuesi nuk është gjithmonë e këndshme. Gjatë analizës, pyeti pjesëmarrësit se si u ndjenë kur gjestet e tyre u kufizuan. Zakonisht, ata do të thonë që iu duk e vështirë. Kur pyeten folësit lidhur me mendimin e tyre për dëgjuesin jo të vëmendshëm, zakonisht thonë që nuk kishte problem.
(Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Rëndësia e lojërave
6 filma që duhet t’i shikoni patjetër me fëmijët tuaj