“Klithma memece që mbërthejnë gjuhën pas telave të fatit të tyre”, nga Mirela Muçaj
“Klithma memece që mbërthejnë gjuhën pas telave të fatit të tyre”, është shkrimi letrar i Mirela Muçaj, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
“Klithma memece që mbërthejnë gjuhën pas telave të fatit të tyre”, është shkrimi letrar i Mirela Muçaj, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Në mërgimin e mendimeve të mia drejt qoshkut të shpirtrave vocërrakë, që eksperienca më kanë njohur, më kanë veshur të tyren lëkurë të djegur, të njëjtin fosil trishtimi që më vendos në dy skajet e pambarimta të dukurisë lavjerrëse. I njëjti lavjerrës që gjeneron, godet në ikje e në kthim, në përjetim, e po aq në rikujtim. Makina e kujtesës shënon gjashtë fluturime pas, drejt pranverës së gjashtë viteve më parë, ku ditët e kërrusura të fund prillit janë fillim-lulëzimi i jo vetëm luleve, por dhe i ankimeve e rebelimeve të brendshme, me padurimin e ziles tringëlluese së mbarimit të orës pa filluar ende...
Aventurave të pushimit pesëminutësh midis orëve u vjen fundi, teksa hapat e tyre u japin ca shuplaka të mira nxitimthi dyshemesë së klasës tek rendin për në vendet e tyre, ku brava e derës kërcëllitëse lajmëron praninë. Çjerrjet tekanjoze të karrigeve, si një violinë e prishur telash, vinin si pasojë e lëvizjeve të shpeshta nga padurimi, e të bënin të besoje se ndodheshe në një orkestral fillestarësh.
Në një mot të dielltë tundues që fton botën lojacake të 11-vjeçarëve drejt pritjes së orës së gjashtë të fizkulturës, ka si nevojë primare një kilikosje mendimesh për të ngacmuar kureshtjen. Për fat të mirë kjo nuk dështoi; e, brenda pak minutash, sy plot energji ndiqnin kureshtarë, si nën pushtetin e trukut të një hipnotizuesi.
Përgjigje dinamike e pyetje me rend argumentimi logjik vërshonin mbi tematikën e re. Këto qenie të vogla e të reja në këtë botë vizatonin përsosmëri dhe në papërsosmëri, kaq të ndryshme e të gjalla...përveç atij...asnjë puls që të dëshmonte se dhe ai ndodhej vërtet aty. Djalit në bankën e tretë, me fytyrën ndër duar e bërrylat ngulitur mbi bankë, dukej sikur kish kohë që mendimet i ishin zhvendosur kudo përveç hapësirës së klasës, e sytë, pavarësisht se nuk përcaktonin një pikë të saktë përqendrimi, ishin thjesht diku...aty. Pas dyzet minutash të plota, zgjedh të afrohem e ta pyes:
─ Ku e ke mendjen? Te buka e ke?
Në fushëbetejën e urisë dhe përqendrimit tashmë sytë e tij të boshtë e të përgjumur i kishin humbur të gjitha rasat por nuk ngurruan të më ligjëronin mbrapsht një shuplakë shfajësimi.
─ Po, tek buka e kam...babi,i cili merrte borxh, nuk është. Është nisur për Greqi.
Heshta. Asnjë fjalë më tepër nuk do të më shlyente pendesën, por në të njëjtën kohë më dha dijeni nëpër të ndryshuar sadopak. Në lëndën e gjuhës shqipe atë ditë të martë u zgjedhua gjuha e skamjes në një drithërimë togfjalëshi, e zënë rrënjë në aktualitetin e shoqërisë shqiptare si një plagë e hapur e beteja që jetohen dita-ditës tej propagandës së xixëllonjtë mediatike.
Mikun tim të vogël e ftova në mbarim të orës, në pushimin e paradites, të blinte diçka për të dy ne, kështu ai të më ndiente si mike të tijën e jo si një mëshiruese. Kjo rutinë për disa javë, derisa një ditë, dy duar të vogla m’u drejtuan e më dhanë dy fruta e më tha:
─ Babi erdhi dhe, këtë herë, dua që të jap unë diçka. Këto janë për ty.
Gjithë çka munda të vizualizoj në ato sekonda ishte libri i Edmond de Amiçis, i titulluar “Zemra në pëllëmbe të dorës”. Pikërisht në këtë moment ky do të ishte titulli i këtij fragmenti në kujtesën time.
E falënderova, e përvijova një buzëqeshje...
Mirela Muçaj
Mirela Muçaj ka lindur më 22 janar 1980, në Shkodër. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, për gjuhë shqipe dhe letërsi. Ka mbaruar CSL (Center for School Leadership) – Shkolla e Drejtorëve të IAPU-së. Ka drejtuar shkollën 9-vjeçare “Aleks Buda” për rreth shtatë vjet (2014─2021) dhe ZVA Cërrik për dy vjet (2021─2023).
Aktualisht drejtore e gjimnazit “Miranda Baku”. Në syrin e një artdashësi që e formëson artin e tij në të shkruar, ndodhia më e zakontë i frymon të brendshmen e jashtëzakonshme, duke qenë njohës i mirë se antologjia e kujtimeve është astronomia e literaturës, ajo që jeton është momenti e ajo që krijohet nuk vdes kurrë, por studiohet e riformon ciklin e frymëzimit pambarimisht.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)
“Ato donin të thyenin një tabu” nga Pajtim Sejdinaj
“Motivimi kundër heshtjes” nga Rudina Luzi