Juristja poete, Ana Hoxhalli: Të jesh me profesion të hekurt dhe shpirt të bukur
Të shkruash është gjithmonë një proces zbulimi. I tillë ka qenë dhe rasti i poeteshës së re Ana Hoxhalli. Ajo nuk e dinte se cili do të ishte fundi i procesit të shkrimit të saj. Filloi thjesht me disa vargje dhe arriti deri në realizimin e një libri. Kjo është historia e Ana Hoxhalli.
Asgjë e vlefshme që një njeri mund të bëjë, nuk është e rastësishme.
As shkrimet e saj nuk erdhën aksidentalisht. Jo, pasi duke e vendosur se çfarë donte, punoi për ta arritur deri në fund. Pasioni për shkrimin ka qenë pjesë e rrugëtimit të saj, por libri me poezi “Shira të kaltër” e ka futur atë në botën e vërtetë letrare. Nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të botonte një libër, por sot libri i saj po rezulton mjaft i pëlqyer.
Ana Hoxhalli, tashmë juriste në profesion, shprehet se midis poezisë dhe arsimit të saj nuk ka asnjë lidhje, sepse për të, ose duhet të jesh një njeri i hekurt ose një njeri me një shpirt të bukur.
Ajo është e aposionuar pas pikturës dhe letërsisë. Që në moshë të hershme ajo filloi të shkruajë, dhe të publikojë librin e saj të parë, ndërsa pikturën e ka lënë për një moment të dytë, pasi nuk e ka gjetur ende muzën për të krijuar diçka të re.
“Në fakt shirat nuk kanë ngjyrë, por është pikërisht tërësia e dashurive që i japin ngjyrë shiut. Dhe për mua shiu është gjithmonë i kaltër”, tregon Ana mbi arsyet se pse ka vendosur ta quajë librin “Shira të kaltër”.
Për të arritur deri në këtë pikë, asaj i është dashur të kalojë vështirësi, por asnjëherë nuk është ndalur dhe ka punuar fort derisa arriti ta publikojë librin.
“Në përgjithësi librat kushtojnë. Kam redaktuar me lekët e familjes time, sepse është vështirë të gjesh sponsorë. Zhgënjimi ka qenë edhe më i madh mbas botimit, sepse edhe miq më të afërt, në vend të tregoheshin kurjozë, u mjaftuan me një urim në Facebook. Por për mua nuk ka qenë objektiv përfitimi monetar”, shprehet ajo.
"Poetët janë njerëz të marrosur, jo më kot ky libër ka citimin për të gjitha dashuritë. Unë nuk kam dashuruar një njeri por kam dashuruar tek të gjithë diçka të veçantë, dikujt sytë, buzët, flokët , qëndrimin, karakterin etj. Madje dhe muzgut ja dashuroj ngjyrën”.
Me këtë citim të autores, kuptojmë se ajo nuk ka qenë asnjëherë e dashuruar me një person, por me gjithçka që e rrethon, gjë të cilën e ka shprehur në librin me poezi. Aty Ana ka shpalosur madhërishëm ndjenjat për të bukurën, për jetën, për dashurinë në përgjithësi. Në këtë vëllim poetik, poezia nuk ka moshë, ajo i përfshin të gjitha stinët e jetës.
Rrugëtimi për t’u bërë juriste dhe dëshira e saj për të shkruar, kanë ecur paralelisht. Edhe pse nuk e ka menduar ndonjëherë se do të bëhet shkrimtare e njohur, ajo përsëri nuk ka në plan të heqë dorë nga asnjëra prej tyre. Duke ndërthurur së bashku juridikun dhe shkrimin, në planet e saj të ardhshme, ajo dëshiron të eksperimentojë me diçka tjetër, pse jo me një roman.
Pas një pune një vjeçare për të sjellë në dritë këtë libër, ajo ndan me të rinjtë një mesazh mjaft domethënës:
Nëse dëshironi të keni shpirtin plotë dhe të jeni përherë të dashuruar, lexoni libra!
Sipas saj “nëse nuk do të hiqni asnjëherë dorë prej asaj se çfarë dëshironi vërtetë të bëni në jetën tuaj, apo prej asaj që keni përzemër, vetëm atëherë ju do të arrini atë çka synoni”.
Përgatiti Marina Kërçeli
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Marrëdhënia prind-mësues, çelësi i suksesit të fëmijës