Ese

“Biblioteka ime, universi im”, ese nga nxënësi Aleksandër Xhembulla

“Biblioteka ime më ka zhveshur nga gabimet, më ka lartësuar. Sa më thellë rrëmoj në mesin e tyre, aq më harmonikë bëhen tingujt, aq më e bardhe drita, aq më i pasur unë”, pak nga shkrimi me mesazhe të mrekullueshme për rëndësinë e librit dhe leximit të nxënësit Aleksandër Xhembulla.

Të lexosh libra është një dhuratë për mendjen, kënaqësi për zemrën e detyrë për shpirtin. Njëlloj si një detar i shquar që ka detin hajmali, e njëlloj si luftëtarët sypatrembur që hedhin guximin në parzmore, ashtu edhe bota ime e qetë, shpëtimin e gjen tek biblioteka, një bibliotekë e veçantë, një botë e pafundme e fshehur në kanata guri, një univers mbi universe, një shtëpi për mua. 


Në një mbrëmbje shiu të imët prilli, e gjej veten në studio, pranë atyre shufrave të drurit, që të kishin gojë, do të më falenderonin për thesarin që ruajnë. Pikat e shiut trokëllijnë në xham, ngadalë e pa ndalim. Tek hap dyert e bibliotekës sime, një rreze drite pasqyrohet tek sytë. Nga të ketë ardhur vallë? Mos ishte qielli hijerëndë që mposhti retë? Jo! Është brendia, është drita në këta libra. Gjeniu i Homerit, revolucioni i Niçes, historia e atyre që s`janë më e ëndrrat e atyre që s’rrojtën kurrë. I mahnitur ndërmarr udhëtimin në këtë parajsë. Nga një qoshe e raftit më buzëqesh Dante Aligeri, porsa unë i vetmuar si ai, po ndjek këtë rrugëtim. 


Thonë se leximi bashkon shpirtra, është tingulli hyjnor i heshtjes, që të lejon të kuvendosh me heronj, të mësosh nga profetë. Ç`do të dija për këtë botë të ashpër pa librat e mi, pa mësuar guximin e Augustit, mprehtësinë e Odisesë, gabimet e Napoleonit, botën e tretur në shtypje, pjellën reale të Oruellit? Nuk do të njihja historinë e lavdishme të kësaj toke mëmë e do qëndroja i lëkundur mes virtytit e mëkatit. 


Biblioteka ime më ka zhveshur nga gabimet, më ka lartësuar. Sa më thellë rrëmoj në mesin e tyre, aq më harmonikë bëhen tingujt, aq më e bardhe drita, aq më i pasur unë. Për njeriun e denjë, të lexosh dhe të jetosh janë dy anët e monedhës së jetës, të pandashme, pafundësisht në simbiozë. Me një libër në duar, unë shoh pasqyrën e një jete, frytin më të plotë të një shpirti të ëmbël. Andaj në universin tim, Kafka largon çdo krijim bosh, çdo fjalë të përulur, çdo shkronjë për të cilën shkrimtari ka lindur e ka vdekur.


Tek bëj të shkëputem prej tij, qoftë për një çast, e ndiej vetminë, shiu vijon të zymtojë oborrin tim, pa e ditur që në të fshihet një oaz ëndrrash. Secili libër një oqean letrar, antik, romak, viktorian, klasik, romantik, modern. Unë, veçse një kokokrrizë rëre në gjithësinë e tyre, unë vetëm mund të shpresoj se një ditë mund të jem i denjë i të qënit pjesë e saj. Ajo do të jetë dita, kur universi im të më tregojë pasqyrën e vërtetë dhe shpirti im të jetojë me shkrimtarët, me heronjtë e mi dhe emri e kujtimi im të jetë i gdhendur diku, në pritje për dritën e tij në pafundësi.




Shkruar nga Aleksandër Xhembulla, shkolla “Ernest Koliqi” 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,501 Lexime
1 vit më parë