Ajo për mua sot është një lot gëzimi...
KURRË, gjithë kohën që më është dhënë, asnjë minutë s’i vodha kohës së saj si mamka e saj. Asnjë minutë nuk reshta së kujdesuri për të. Kam gjetur një fraksion të shpejtë kohe për t’i telefonuar dhe pyetur sesi është...
Jam me të kur marr “mirëmëngjesin” e parë, kur shoh ata sy të zinj, të mëdhenj, që shkëlqejnë.
Jam pranë saj kur rritet çdo centimetër.
Jam me të, kur numërojmë hapat për të vrapuar aty ku duhet të shkojmë.
Jam me të kur merr një notë të mirë, ose jo, për t’i shpjeguar se ka bërë më të mirën e saj (të shumta janë fotot fshehurazi që i kam bërë, për të ngulitur fort përpjekjet e saj, ulur në tryezë, kolltuk a ku të mundet).
Jam pranë saj kur sëmuret, dhe mezi pres e numëroj minutat sa ta shoh t’i skuqen faqet sërish nga shëndeti.
Jam pranë saj kur i gëzohet me shpirt dritës dhe ditës.
Jam pranë saj kur i duhet të blejë veshjet e reja, të moshës (sepse vitet kalojnë). Edhe pse, s’e kam aspak të vështirë. Sado të thjeshta të jenë veshjet, tek ajo gjithçka shkëlqen.
Jam pranë saj kur më tregon për sukseset e saj të vogla-të mëdha, edhe atëherë kur më kërkon një mendim, një këshillë. Jam një dëgjuese e mirë, e duruar. Si këshilluese? Bëj më të mirën time...
Jam pranë saj dhe e kam pranë, kur i duhet të dëgjojë për sukseset e mia, sado modeste të jenë: të lexojë një libër, revistë apo shkrim. Por që e ndihmojnë ta dojë librin, dhe të kujdeset për bibliotekën që ka në shtëpi.
Jam pranë saj kur u telefonon dhe takon njerëzit e saj më të dashur. Merakoset për ta, trishtohet për problemet e tyre, gëzohet për mirësitë.
I gëzohem artikulimit të fjalës së saj.
I frikësohem asaj që ndien në shpirt.
Ndihem plot sot që KURRË. KURRË, gjithë kohën që më është dhënë, asnjë minutë s’i vodha kohës së saj si mamka e saj. Asnjë minutë nuk reshta së kujdesuri për të. Asnjë minutë, edhe kur ngarkesa më ka stresuar, lodhur, më ka vonuar t’i jem pranë... kam gjetur një fraksion të shpejtë kohe për t’i telefonuar dhe pyetur sesi është.
Ndoshta një ditë, duke e patur në gen, do t’i shpreh bukur mendimet që ka (ndoshta do të botojë diçka të vetën). Ku i dihet, ndoshta... Dhe ndoshta aty do të lexoj se çfarë ndjeu me të vërtetë në këtë periudhë rritjeje dhe do të marr përgjigjet e të gjitha pyetjeve që dua...
Ndoshta...
(Artemisa Bushi; Portali Shkollor)
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Lamtumirë, profesor Idriz Metani!