Përse vlejnë standardet e mësuesit?
Standardet profesionale të mësuesit përshkruajnë atë që pritet të njohin, të kuptojnë, të zotërojnë dhe të demonstrojnë mësuesit, si specialistë në fushën e tyre.
a) Këto standarde i vlejnë së pari, vetë mësuesit. Mësuesi mbështetet në to për të vlerësuar performancën e tij, duke dalluar anët e veta të forta dhe nevojat, si dhe për të kuptuar më mirë përparimin e tij profesional. Ato ndihmojnë që mësuesi në mënyrë individuale të menaxhojë vetë secilën nga fazat e mëposhtme:
Nëpërmjet këtyre standardeve mësuesi kupton vizionin e ri për mësimdhënien, një panoramë të asaj se ku synohet të shkohet. Për të përmirësuar cilësinë e tij, mësuesi duhet të identifikojë nevojat e shkollës, në përgjithësi, por edhe të tijat, në veçanti. Standardet përfshijnë një sërë treguesish të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve, për të cilat mësuesi tregon angazhimin për kryerjen me sukses të rolit të tij në shkollë. Secili në punën e tij punon duke pasur parasysh disa standarde që tregojnë sesa kompetent është ai në punë.
Nivelet e performancës tregojnë se sa një mësuesi i përmbush këto standarde. Në momentin që mësuesi e ka shumë të qartë se çfarë duhet të arrijë, ai punon për rritjen dhe zhvillimin e tij profesional. Megjithëse mësues të ndryshëm kanë nevoja të ndryshme, përsëri ka fusha për të cilat të gjithë mësuesit e shkollës kanë nevojë për trajnime.
Përmbushja e standardeve mbështet mësuesin për progresin e tij në karrierë dhe për kualifikimin e tij. Mësues me performancë të kënaqshme dhe me rezultate shumë të mira në kualifikim ndikon në arritjet progresive të nxënësve.
b) Standardet profesionale të mësuesit ia lehtësojnë mjaft punën, drejtuesit të shkollës kur i duhet të përmbledhë nevojat profesionale të mësuesve e të menaxhojë pastaj, bashkë me ta, hartimin dhe zbatimin e planit të zhvillimit profesional të tyre. Gjithashtu, drejtuesit i vlejnë edhe standardet profesionale lëndore për të vlerësuar periodikisht performancën e mësuesit, për të kuptuar ngritjen e tyre profesionale dhe për të gjetur ose për të porositur, bashkë me ta, formën e përshtatshme të zhvillimit profesional, si dhe literaturën e nevojshme profesionale.
Vendimi për përzgjedhjen e një mësuesi në një institucion arsimor duhet të merret pas përgjigjes së pyetjes: “Sa i përmbush kandidati treguesit e standardeve të mësuesit?”.
c) Këshilli i mësuesve, ekipet lëndore, komisioni psiko-social janë organizma të tjerë të shkollës, të cilët mund të përdorin këto standarde për t’u mbështetur në përmirësimin e klimës në shkollë, në përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit. Tashmë, ato mund të përcaktojnë më mirë temat e diskutimeve e të debateve profesionale dhe të analizojnë më thellë arritjet e nxënësve, në saj të filozofisë që përshkojnë këto standarde.
d) Përfaqësuesve të komunitetit të institucionit d.m.th., Bordit të shkollës dhe Këshillit të prindërve u shërben shqyrtimi i standardeve për të kuptuar cilësinë e shërbimit arsimor që ofron shkolla.
e) Ministria e Arsimit dhe e Sportit niset pikërisht nga këto standarde për të formuluar politikat mbarëkombëtare të zhvillimit profesional të mësuesve, si dhe për të hartuar udhëzime, urdhra dhe rregullore që kanë të bëjnë me mësuesit. Mbi këto standarde bazohet kualifikimi dhe trajnimi i mësuesve.
f) Instituti i Zhvillimit të Arsimit identifikon nevojat e mësuesve për zhvillim profesional dhe harton programe e module trajnimi në nivel kombëtar.
g) Inspektorati Shtetëror i Arsimit ndihmon mësuesit në përmbushjen e këtyre standardeve duke kryer vlerësimin e jashtëm të performancës së tyre.
h) Njësitë arsimore vendore (DAR/ZA-të) mbështetur në standardet profesionale të formimit të përgjithshëm dhe sipas profileve hartojnë planet e zhvillimit profesional të mësuesve, si dhe planifikojnë veprimtaritë e rrjeteve profesionale.
i) Fakultetet e edukimit mbështeten në këto standarde për të hartuar me koherencë standardet e formimit fillestar të mësuesve, si dhe kurrikulën përkatëse, referuar formimit shkencor sipas profilit dhe formimit të përgjithshëm, duke i përgatitur studentët për licencim.
j) Këshillat dhe shoqatat e mësuesve kanë parasysh të dy llojet e standardeve për të veçuar ato nevoja profesionale, të cilat janë më të domosdoshme për t’u plotësuar në nivel shkolle, si dhe për të planifikuar veprimtarinë e zhvillimit profesional të mësuesve dhe këshillimi profesional të tyre.
k) Po kështu, OJF-të, donatorët dhe shoqatat e interesuara për zhvillimin profesional të mësuesve kanë nevojë për një dokument të plotë të standardeve profesionale të mësuesit, në mënyrë që të ideojnë bashkëpunime të suksesshme me institucionet arsimore dhe që të përzgjedhin më mirë kontributet e tyre në arsim.
Teste përmbledhëse për të tria periudhat në të gjitha lëndët, klasa IV
Rregullorja e shkollës
Testime dhe detyra përmbledhëse për Arsimin Fillor, viti shkollor 2023-2024