QËNDRIMI NË SHTËPI

Muhamet Cenko: Shkolla ka shkuar në shtëpitë e fëmijëve dhe jo anasjelltas

Këto janë disa këshilla për prindërit që t’i administrojnë më mirë ditët në shtëpi me fëmijët, të sugjeruara nga profesori i psikologjisë e pedagogjisë Muhamet Cenko.

Pandemia Covid-19 e ka ndryshuar rrënjësisht përditshmërinë tonë dhe atë të fëmijëve tanë. Ata nuk mund t’i ndajnë momentet e argëtimit me fëmijët e tjerë. Nuk mund të kenë një kopsht apo një kënd lojërash ku mund të shfrehin mërzinë e tyre në qiell të hapur apo të dalin për shëtitje të vogla.


Gjithashtu, fëmijët dëgjojnë bisedat tona si prindër dhe e perceptojnë komunikimin tonë joverbal, ndihen të shqetësuar dhe herë-herë të tendosur dhe nën presion. Ritmi i këtyre ditëve të reja të pandemisë, së bashku me atmosferën e pakuptimtë e të çuditshme që thithin, mund t’i pështjellojnë fëmijët dhe kjo shkakton tek ata ankth e stres. Mund të ndodhë t’i shohësh të zemëruar e “të tërbuar” ose edhe të vëresh disa kriza të paqetësisë dhe nervozizmit, ndonjëherë edhe të pashpjegueshme.


Ja disa këshilla për prindërit që t’i administrojnë më mirë ditët në shtëpi me fëmijët:


• Është e rëndësishme që të bëni dallimin midis ditëve të punës, ku ritmi është më i organizuar dhe veprimtaritë më të strukturuara dhe ditëve të fundjavës, të cilat, përkundrazi, janë më pak të organizuara dhe mund të shijohet më tepër të qenët i lirë.


• Gjatë ditëve të punës është e rëndësishme të respektosh oraret dhe rutinën e përditshmërisë. Në mëngjes të zgjohesh herët dhe të gatuash ushqimin, pastaj të lahesh dhe të vishesh, si në një ditë normale.


• Është e vlefshme që t’i organizosh ditët me një program konkret e me një ritëm të qëndrueshëm për të gjitha ditët (zgjim, gatim mëngjesi, të lahesh, të vishesh, detyrat, lojë e organizuar, të gatuash e të shtrosh tryezën për drekë), pikërisht si në ditët normale me fëmijët. Është mirë që edhe fëmijët të marrin pjesë në përgatitjen e programit, t’u tregosh atyre oraret në momente të ndryshme dhe ky program të varet në një vend të dukshëm të shtëpisë.


• Ndërmjet veprimtarive të shpërndara gjatë ditës, mund të alternojmë:


- Veprimtaritë intelektualisht më të rëndësishme, si: mësimet dhe detyrat, të mësuarit nga shtëpia, lojërat e coding (lehtësisht të zbulueshme online e që shërbejnë për t’i mësuar fëmijët që të programojnë). Shumë prindër në këtë periudhë janë ndeshur me të mësuarit nga shtëpia duke punuar nga kompjuteri (smart-ëorking). Në qoftë se të dy prindërit punojnë nga shtëpia, është mirë që të alternohen në kompjutër, në mënyrë që njëri nga të dy të jetë i gatshëm për t’i ndjekur fëmijët në bërjen e mësimeve dhe detyrave shkollore, duke treguar kujdesin e duhur për të cilin kanë nevojë.

- Veprimtaritë artistike, si për shembull: të vizatojnë, të pikturojnë me bojëra, të punojnë me plastelinë etj.

- Lojërat në kuzhinë: gjatë këtyre ditëve t’i mësojmë ata që të krijojnë disa ushqime të thjeshta, të ndihmojnë prindërit në veprimtari të ndryshme, si: të pastrojnë disa zarzavate ose t’u heqin lëvozhgat vezëve. Po kështu, të gatuajnë një vezë petull, një ëmbëlsirë, bukë ose makarona të bëra në shtëpi, duke i përfshirë fëmijët drejtpërdrejt në përgatitje, që kjo të shërbejë si veprimtari argëtuese dhe edukative. Pra, të gatuajnë së bashku. Ushqimi të jetë më shumë se kurrë i ekuilibruar, i pasur me fruta e perime duke shmangur ushqimet jo të shëndetshme, pijet e gazuara dhe patatina, çokollata e ëmbëlsira të gatshme. E rëndësishme është që të pinë sa më shumë ujë dhe lëngje frutash të përgatitura vetë.

- Veprimtaritë argëtuese, si: ushtrimet fizike, të vrapuarit brenda shtëpisë, lojërat simbolike (të bërit sikur…), një videothirrje me gjyshërit dhe me miqtë e shokët në këto ditë të izolimit social, ndjekja e emisioneve artistike në TV apo në kompjutër e celular etj.


Fëmijët nuk duhen lënë para televizorit për shumë kohë. E dimë të gjithë se sa efikas është efekti i hipnozës së filmave me kartona ose të animuar. Por kujdes, të parit shumë televizor, laptop ose celular është tashmë gjë e njohur që i dëmton fëmijët. Kjo shkakton stres te fëmijët, prandaj duhen mënjanuar prej tyre. Ta fikim televizorin gjatë kohës, kur ata janë të impenjuar me mësimet apo detyrat shtëpiake dhe të mos përdorin celularët. Këshillojmë që të mos kalojnë më shumë se dy orë në ditë, të ndara këto midis mëngjesit e pasdites.


Ta fikim televizorin gjatë kohës, kur ata janë të impenjuar me mësimet apo detyrat shtëpiake dhe të mos përdorin celularët. Këshillojmë që të mos kalojnë më shumë se dy orë në ditë, të ndara këto midis mëngjesit e pasdites.


Nga Prof.Muhamet Cenko, psikologji-pedagogji (master i nivelit II) 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,472 Lexime
4 vjet më parë