Ekselenca

150 milionë lekë është fondi i ekselencës

Qeveria Shqiptare kontribuon me një fond prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë lekë) në vit për mbështetjen financiare për studentët shqiptarë të shkëlqyer.

Për të tretin vit radhazi, nëpërmjet Fondit të Ekselencës dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Qeveria Shqiptare po kontribuon me një fond prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë lekë) në vit për mbështetjen financiare për studentët shqiptarë të shkëlqyer të cilët janë pranuar të kryejnë studimet e ciklit të parë, të dytë dhe studimet e doktoratës jashtë vendit në universitetet më të mira të botës si dhe për nëpunësit civilë të administratës shtetërore.


Shqipëria me anë të këtij programi siguron mbështetjen e studentëve të shkëlqyer të cilët janë pranuar në njërin prej universiteteve më të mira të botës sipas renditjes së zhvilluar nga Times Higher Education “Renditja Botërore e Universiteteve” për vitin më të fundit. 

Po kështu në kuadrin e reformimit të administratës publike dhe ngritjes së kapaciteteve të kësaj administrate, nga ky fond do të përfitojnë dhe punonjës të administratës shtetërore të cilët do të kryejnë studime master në një prej universiteteve më të mira, sipas renditjes së mësipërme, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimeve një program master me kohëzgjatje 1 vjeçare në fushat e mëposhtme:

- Politika publike

- Administrim publik

- Politika ekonomike

- Politika arsimore

- Politika shëndetësore

- Urbanistikë dhe zhvillim urban

- Menaxhim i financave publike 

- E drejtë administrative/publike

- Studime Evropiane


Studentët që do të kryejnë studimet Bachelor dhe Master duhet të jenë pranuar në një nga 15 universitetet më të mira.


Studentët që do të kryejnë studimet e doktoratës duhet të jenë pranuar në një nga 15 universitetet më të mira, përjashtim bëjnë studentët që do të kryejnë studimet e doktoratës për shkenca shoqërore dhe ekonomike për të cilët fondi përfshin 50 universitetet më të mira për shkenca natyrore dhe teknike. 


Për studentët doktorantë në fushën e albanologjisë nuk kërkohet renditja e universitetit për arsye se universitetet që ofrojnë studime dhe kërkime në këtë fushë janë në numër shumë të limituar.


Për studentët e shkëlqyer që do të ndjekin studimet bachelor dhe master, si dhe për nëpunësit e administratës shtetërore që do të kryejnë jashtë vendit studimet master, mbështetja financiare nga Fondi i Ekselencës mund të jetë i pjesshëm apo i plotë dhe masa e bursës do të variojë nga një universitet në tjetrin sipas parashikimit të shpenzimeve që do të kryejë çdo universitet.


Për studentët e doktoratës mbështetja financiare do të mbulojë vetëm shpenzimet e jetesës.


Studentët dhe doktorantët që do të përfitojnë bursë nga Fondi i Ekselencës dhe që do të formohen në universitetet më të mira të botës kanë si detyrim që pas përfundimit të studimeve të japin kontributin e tyre për tre vjet në Shqipëri, ndërsa punonjësit e administratës publike për 4 vjet në administratën shtetërore.

2,909 Lexime
7 vjet më parë